U mbajt Konferenca Ndërkombëtare Shqipëri – Kosovë me temë: “Zhvillimi integral i industrisë minerare me ndikim minimal në mjedis”
Z.Adrian BYLYKU, Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së, (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore), në fillim të prezantimit të tij bëri një historik të shkurtër duke prekur kohën që para viteve 1942-1944 mbi legjislacionin dhe reformimin në industrinë minerare të ndarë në 3 etapa: 1. Të dhënat historike. 2. Strategjia e zhvillimit të industrisë minerare. 3. Legjislacioni bazë për aktivitete në industrinë minerare.
Z.Bylyku në fjalën e tij shprehu se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të bekuara dhe të pasura në burime natyrore kryesisht në fushën minerare dhe foli për një zhvillim të qendrueshëm dhe menaxhim të integruar duke hartuar politika dhe një legjislacion sipas BE si dhe optimizimi i vjeljes së rentës minerare duke patur një bashkëpunim ndërmjet dy vendeve dhe midis institucioneve të tjera si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë etj.
Në 5 vitet e fundit është bërë e mundur thjeshtimi i proçedurave në shfrytëzimin e burimeve natyrore si edhe në 3 vitet e fundit falë angazhimeve të institucioneve ka patur zhvillime shumë pozitive në menaxhimine burimeve natyrore.
Përveç burimeve minerare kryesisht të metalorëve Z. Bylyku vuri theksin tek prespektiva dhe orientimi i shfrytëzimit të jometalorëve , inertet, bazaltet , gipsi, materialet dekorative të cilat duhet ti promovojmë, duke krijuar edhe ekspozime në muzeume, si një histori që duhet trashëgohet në njohjen dhe edukimin e brezave të rinj.
Gjithashtu në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqesues të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Fjalën për qeverinë e Shqipërisë e bëri Kryetari e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Z. Taulant Balla i cili bëri falenderime dhe vuri theksin mbi menaxhimin integral të burimeve natyrore midis dy vendeve Shqipëri- Kosovë, duke bërë të mundur rehabilitimin e mjedisit pas shfytëzimit të minierave.
Për qeverinë e Kosovës foli Z.Valdrin Lluka, Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës i cili falenderoi palën Shqiptare për bashkëpunimin si edhe rëndësinë e bashkëpunimeve për zhvillimin ekonomik midis dy vendeve.
Për Ministrinë së Infrastrukturës dhe Energjisë foli Zv. Ministri Z.Ilir Bejtja, i cili vuri theksin tek specializimi i burimeve njerëzore nga specialisti më i thjeshtë deri tek inxhinieri më i kualifikuar në përdorimin e teknologjive më të reja mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore.