Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), në bashkëpunim me EITI Shqipëri, zhvilloi një tryezë prezantuese me synimin për të fuqizuar kapacitetet e përfaqësuesve nga institucionet shtetërore, kompanitë private dhe organizatat e shoqërisë civile në raportim sipas kërkesave të Standardit EITI 2023.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione praktike dhe ndërvepruese që synonin përvetësimin e njohurive mbi çështjet mjedisore dhe ndikimin e tyre në sektorin nxjerrës, barazinë gjinore në industrinë e burimeve natyrore, sigurimin dhe verifikimin e cilësisë së të dhënave, raportimin e pagesave nga kompanitë dhe institucionet publike, pronësinë përfituese të kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, etj..
Në këtë tryezë morën pjesë drejtues të drejtorive teknike dhe ekspertë të AKBN-së, të cilët patën mundësinë të shkëmbejnë eksperienca dhe të angazhohen drejtpërdrejt me përfaqësuesit e EITI Shqipëri, duke përforcuar qasjen institucionale për transparencë dhe qeverisje të mirë në sektorin e burimeve natyrore.
AKBN vlerëson si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me EITI Shqipëri, duke e konsideruar si një hap konkret për konsolidimin e standardeve të raportimit dhe rritjen e besueshmërisë institucionale.