Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore përmbylli me sukses negociatat 2-vjeçare me kompaninë Shell Upstream si përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë proces. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme në praninë e Kryeministrit Z. Edi Rama, nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë mori pjesë Drejtori Ekzekutiv i AKBN, z. Adrian Bylyku, si dhe disa prej ekspertëve të kësaj Agjencie. Përveç përfaqësuesve të qeverisë ishin të pranishëm dhe përshëndetën marrëveshjen Ambasadorja e Mbretërisë së Hollandës, Sh.S.Zj. Dewi van de Weerd, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T.Z. Duncan Norman dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shell-Albania, Z. Henk van Konijnenburg.
Të dhënat teknike për marrëveshjen:
Në mënyrë të përmbledhur ja çfarë përfaqëson kjo Marrëveshje: Kërkimi i naftës në këtë Bllok do të kryhet në 3-faza;
– Gjatë Fazës së Parë e cila do të zgjasë 3 vjet do të kryhen 125 km punime seismike 2D dhe ripërpunim i 125 km profileve seismike 2D. Angazhimi financiar minimal për Fazën e Parë shkon në rreth 8.5 milion USD
– Faza e Dytë do të zgjasë 2 vjet. Gjatë kësaj faze do të kryhen 300 km punime seismike 2D dhe ripërpunim i 200 km profileve seismike 2D. Gjatë kësaj faze është opsional shpimi i një pusi kërkimi me thellësi 3000 m. Angazhimi financiar minimal për Fazën e Dytë shkon në rreth 20 milion USD.
– Faza e tretë do të zgjasë 2 vjet. Gjatë kësaj faze do të kryhet shpimi i një pusi kërkimi me thellësi minimale 3000 m dhe Angazhimi financiar minimal për këtë fazë arrin në 14 milion USD.
Kohëzgjatja e Kontratës për rastin nëse do të kemi një zbulim të ri, pra periudha e Zhvillim-Prodhimit, do të jetë deri në 25 vjet me të drejtë zgjatje.
Të dhëna për kompaninë SHELL:
Royal Dutch Shell përfaqëson një kompani lider në botë në sektorin e hidrokarbureve, me kapacitete dhe potenciale të jashtëzakonshme, që zotëron ekspertizën e nevojshme dhe mundësitë financiare për tu angazhuar në operacione kërkimi. Royal Dutch Shell e themeluar në vitin 1907 është sot një nga shoqëritë më të mëdha në botë në fushën e energjisë dhe ushtron veprimtarinë e saj në më shumë se 70 shtete. Historia e Shell në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen për eksplorim të dy blloqeve “B” dhe “F”. Shell Upstream Albania B.V. përfundoi kërkimet sizmike, por nuk arriti të shpojë puse për shkak të trazirave të vitit 1997, të cilat e detyruan Shell që për arsye madhore ta zgjidhte kontratën e vet me ndarje prodhimi.
Në vitin 2012, Shell Upstream Albania B.V. u rikthye në Shqipëri për të kërkuar naftë në dy blloqe kërkimi, ato 2 dhe 3, fillimisht me 50% të interesave bashkë me Petromanas dhe më pas, që nga marsi 2016, Shell operon i vetëm duke pasur 100% të interesave në këto blloqe. Në një kohë kur Shell tkurri aktivitetin në shumë vende të botës si rezultat i uljes drastike të çmimit të naftës, kjo nuk ndodhi me Shqipërinë ku vazhdoi investimin dhe tashmë po zgjerohet edhe me një tjetër bllok kërkimi.