AKBN më datat 20-21 Qershor, organizoi takimin “Mbi Tranzicionin e Drejtë në Komunitetet Minerare dhe Potencialin për Zhvillimin e Energjisë Gjeotermale”. Seminari iu ofroi pjesëmarrësve një mundësi për të menduar se si UNECE mund të ndihmojë më së miri Shqipërinë dhe shtetet e tjera anëtare të saj, në përpjekjet e tyre për tranzicionin e zonave të tyre post-minierave të qymyrit në përputhje me parimet e ekonomisë së gjelbër dhe tranzicionit të drejtë dhe duke siguruar një përdorim të qëndrueshëm për burimet natyrore. Në takim u diskutua një projekt i ri potencial për hartimin e gatishmërisë së Shqipërisë për tranzicion të gjelbër dhe të drejtë në zonat post-minierave të qymyrit.
Takimi pati një diskutim të hapur ku u përfshinë të gjithë aktorët, të cilët u përpoqën të identifikojnë se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren për të zbatuar projektin e ri në mënyrën më efektive, që do t’i japë Shqipërisë shtysën e duhur për ndryshimin e nevojshëm drejt tranzicionit të gjelbër dhe të drejtë në zonat minerare. Pjesëmarrësit nga vende të tjera në rajonin e UNECE që morën pjesë në takim si dhe online, përfituan gjithashtu nga diskutimi, pasi ai i lejoi ata të identifikojnë dhe të familjarizohen me zgjidhjet dhe strategjitë që mund të jenë të zbatueshme për kushtet e tyre përkatëse.
Në takim morrën pjesë përfaqësues të zyrës ekonomike të Kombeve të Bashkuara, Ukraina, Bosnje e Hercegovina, Serbia, AKBN, MIE, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Universiteti Gjeologjik i Tiranës, Shoqata e Minierave e Qymyrit si dhe Shoqata e Burimeve të Rinovueshme.
Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së z.Adrian Bylyku bëri një paraqitje të situatës post-minerare të vendit tonë si dhe potencialit të shfrytëzimit të energjisë gjeotermale si një nga alternativat e përdorimit të energjive të rinovueshme duke paraqitur kushtet specifike të vendit tonë.
Dita e dytë e takimit, data 21 Qershor, vazhdoi me vizitat në zonat post-minerare të qymyrit në vendin tonë si dhe me një vizitë në një zonë gjeotermale.