Në datat 5, 6 dhe 7 Korrik u zhvillua për herë të parë në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare, edicioni i 6-të i Forumit “MINEX Europe Mining & Exploration”, me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm minerar dhe investimet në Ballkanin Perëndimor ” ku morën pjesë mbi 80 kompani dhe organizata nga 25 shtete që operojnë në fushën minerare.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si partnere zyrtare e këtij forumi , u përfaqësua nga Z. Adrian Bylyku , Drejtor Ekzekutiv si dhe përfaqësues nga Drejtoria Minerare dhe Drejtoria e Zhvillimit Strategjik dhe Dëgjesave me Publikun .
Në këtë forum u diskutua mbi strategjitë bashkëpunuese në rajon, rolin e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me lëndë të para në Europë, projektet infrastrukturore për zhvillimin e një ekonomie të gjelbër, bashkëpunimin rajonal drejt një ekonomie me karbon të reduktuar, si dhe investimet në zhvillimin dhe procesimin e lëndeve të para kryesore.
Gjatë këtij eventi, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore z.Adrian Bylyku në prezantimin e tij pasqyroi gjendjen aktuale të aktivitetit minerar në Shqipëri, rezervave minerare, kompanive të cilat operojnë në ketë sektor si edhe nënvizoi rekomandime për investimet e huaja për një zhvillim të qëndrueshëm në këtë fushë.
Në vazhdim të programit u mundësua dhe një vizitë në minierën e fabrikën e Spaçit, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me investimet në projekte, teknologjitë, makineritë e avancuara, infrastrukturën në minierën dhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Spaç.