Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, së bashku me Qendrën Rajonale të Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para dhe Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, u bënë pjesë e vizitës studimore TAIEX, ku eksploruan minierën më të madhe të kromit në Finlandë, “Kemi” .
Kjo minierë ka rëndësi strategjike për industrinë minerare evropiane dhe përdor teknologji moderne të nxjerrjes nëntokësore, në një thellësi deri në 1 mijë metra.
Përfaqësuesit e institucioneve shqiptare patën mundësinë të vëzhgojnë nga afër teknologjitë më të avancuara të nxjerrjes së kromit ndjekur nga protokollet rigoroze të sigurisë.
Gjatë kësaj vizite, u zhvilluan sesione të fokusuara mbi mënyrat e ruajtjes dhe menaxhimit të mostrave të shpimeve bërthamore për të siguruar të dhëna të sakta dhe të qëndrueshme.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm për përmirësimin e aftësive të ekspertëve shqiptarë përmes ndarjes së ekspertizës dhe praktikave më të mira.