Në datat 11-13 shtator 2023, në Gjenevë u zhvillua sesioni i 10-të i grupit të ekspertëve të burimeve të rinovueshme të energjisë, me objektiv zhvillimin e energjisë së rinovueshme për një të ardhme të qendrueshme të sektorit të energjisë. Në këtë aktivitet, në cilësinë e Zëvendëskryetarit të Grupit të Punës së Burimeve të Rinovueshme të UNECE, mori pjesë Drejtori Ekzekutiv i AKBN-së z. Adrian Bylyku.
Në sesionin e 10-të, të grupit të ekspertëve u diskutua për tranzicionin ekonomik drejt një të ardhme të energjisë së pastër si një element thelbësor i përpjekjeve globale, për të arritur synimet klimatike të Marrëveshjes së Parisit. Grupi i punës në këtë sesion vendosi prioritet rritjen e kontributit të energjive të pastra, kundrejt teknologjive që mbështesin sistemet e energjisë me karbon të ulët, të bazuara në lëndë djegëse fosile.
AKBN-ja në këtë sesion është ftuar si anëtare e UNECE, me fokus të veçantë prezantimin projekteve që lidhen me zhvillimin e qendrueshëm të energjisë, në zbutjen e ndryshimeve klimaterike, si:
1. Vlerësimi i Burimeve Gjeotermale në Shqipëri, si dhe;
2. Vlerësime teknike, të bazuara në parimet për hartimin dhe zbatimin e një programi efikas, të sigurtë dhe të ndërgjegjshëm për mjedisin në minierat e mbylluara në Shqipëri.
Këto projekte janë pjesë e programeve për vitet 2030, për Zhvillimin e Qendrueshëm të Energjisë, adresuar sfidave të ndjeshme që planeti ynë na ofron.