Në datat 9-11 Mars 2022 në Yerevan të Armenisë, u organizua nga Komisioni Ekonomik për Evropën në Kombet e Bashkuara (UNECE) konferenca me titull “Mbi zbulimin e mundësive të tregut për rritjen burimeve të rinovueshme dhe eficencës së energjisë në banesa dhe zbutjen e varfërisë energjetike”, e cila pati si synim eksplorimin e aktorëve kryesorë të tregut për rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme dhe eficencën e energjisë në ndërtesat me shumë apartamente që çojnë në zbutjen e “varfërisë energjetike”.
Në këtë konferencë ishte e ftuar Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore me përfaqësim nga Drejtori Ekzekutiv i AKBN dhe stafi shoqërues, si edhe përfaqësues nga qeveria, komunitetet, politikëbërësit, organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, institucionet financiare si edhe agjenci donatore.
Konferenca shërbeu si një platformë e mirë për të diskutuar çështjet problematike në sektorin e banesave, ku ekspertë nga vende të ndryshme, prezantuan ekspertizën e tyre me pikat kryesore mbi zgjidhjet për krijimin e mekanizmave dhe sistemeve të mundshme për rinovimin termik të ndërtesave të banimit në një mënyrë për të kontribuar në reduktimin e “varfërisë energjetike”.Gjithashtu përmes shkëmbimit të informacionit dhe transferimit të njohurive nga vendet e Evropës Lindore, u informua mbi ekspertizën e mekanizmave mbështetës të shoqatave të pronarëve të shtëpive, duke sjellë çështje të rëndësishme për diskutim nga perspektiva e politikave deri tek zgjidhjet financiare dhe teknike.