Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Damian Gjiknuri prezantoi Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, z. Adrian Bylyku.
Gjiknuri shprehu besimin e plotë në angazhimin e drejtuesit të ri të AKBN, duke u mbështetur në performancën e z. Bylyku jo vetëm në këtë institucion ku ka drejtuar Drejtorinë Hidrokarbure, por edhe në institucione të tjera private dhe publike ku ai ka punuar. “Jap mbështetjen e plotë për z. Bylyku në këtë detyrë për një administrim dhe menaxhim më të mirë të institucionit”- u shpreh z. Gjiknuri
Ndërsa kreu i AKBN, z. Bylyku shprehu falenderimet për besimin që i është dhënë për të drejtuar këtë institucion. Ai vlerësoi burimet njerëzore të AKBN, inxhinierët dhe teknikët që kanë një nivel shumë të lartë profesionalizmi.
“Ky vit konsiderohet i suksesshëm, në veçanti për sektorin hidrokarbur, me mbylljen e marrëveshjes me kompaninë SHELL për bllokun 4. Pas promovimit të bërë nga MIE dhe shpalljes fitues të kompanisë SHELL për bllokun 4 në tokë, vazhduan për rreth 2 vjet negociatat me këtë kompani. Falë frymës positive që është krijuar nga qeveria për tërheqjen e investimeve të huaja, kjo kontratë përfundoi dhe i është përcjellë MIE për miratim për t’i kaluar më pas Këshillit të Ministrave. Sjellim në vëmendje se SHELL është duke vazhduar operacionet hidrokarbure për kërkimin e naftës e gazit në bllokun 2 dhe 3”, tha z. Bylyku.
Adrian Bylyku, ka kryer studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti “Gjeologji- Miniera” në vitet 1986-1991. Në vitet 1993-1996 ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Bolonjës, në fushën e gjeoteknikës dhe kërkimeve kimike në sektorin e ndërtimit. Që nga viti 2016 e në vijim, Z. Bylyku ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Hidrokarbure në AKBN. Me herët Z. Bylyku ka kryer detyra të tjera në institucione shtetërore dhe kompani private.