Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Drejtoria e Zhvillimit Strategjik dhe Dëgjesave me Publikun,në kujdesin e suportin e Drejtorit Ekzekutiv Z. Adrian BYLYKU, organizoi pjesëmarrjen e AKBN-së në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës,organizuar nga Klik Ekspo Group, i cili çeli dyert në datën 23 Nëntor 2019 dhe vijon deri në datën 26 Nëntor 2019.
AKBN zgjodhi të marrë pjesë në këtë panair, duke u përfaqësuar denjësisht me stendën e saj informative dhe ekspozuese për promovimin e burimeve natyrore të Republikës së Shqipërisë.
Promovimi i burimeve natyrore, duke parë dhe shumë interes nga vizitorë e investitorë vendas dhe të huaj që vizitojnë intensivisht stendën e AKBN, u vlerësua si një mundësi e mirë që investitorët të informohen drejtëpërdrejtë nga ekspertët e fushës të AKBN-së, për mundësitë që ofron Shqipëria, si mineralet, burimet e energjisë së rinovueshme, naftën e gazin, hidroenergjetikën, panele diellore/ fotovoltaikët, shfrytëzimin e erës dhe diellit, etj.
Në mbështetje të pjesëmarrjes së AKBN-së, të pranishëm në stendën e AKBN ishin Drejtori Ekzekutiv Adrian BYLYKU dhe ekspertë/punonjës të AKBN-së, të cilët u përfshinë në një diskutim të gjerë, iniciuar nga Drejtori Ekzekutiv Z. Adrian Bylyku, i cili ju rekomandoi ekspertëve të AKBN të pranishëm idenë e identifikimit dhe përfshirjes në ekspozim më të gjerë nga AKBN-ja, në një ekspozitë-muze të të gjitha llojeve minerare që prodhohen në Shqipëri, një pjesë e mirë e të cilëve ishin ekspozuar në stendën e AKBN-së, për ta zhvilluar kështu në një fazë më të lartë promovimin e mineraleve shqiptare.
Që në nisje të panairit u vërejt interes i lartë në lidhje me potencialet që Shqipëria i ofron me shumicë, dhe tashmë pjesëmarrja e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në panairet e organizuara është kthyer në një traditë të suksesshme lidhur me interesin kombëtar dhe ndërkombëtar.