Në sesionin 32-të të Komitetit të Energjive të Qendrueshme zhvilluar në Gjenevë, në datat 14-15 shtator, AKBN-ja është ftuar si pjesëmarrëse e projektit të përbashkët me UNECE titulluar, “Transformimi i minierave të qymyrit të mbyllura në përdorimin e energjisë së pastër” i cili do të implementohet gjatë muajt shtator 2023, me objektiv ndryshimi i sfondit të energjisë drejt sigurisë energjetike si një prioritet zëvendësimi i lëndëve djegëse fosile me burime të pastra të energjisë.
Drejtori i AKBN-së Adrian Bylyku në këtë sesion paraqiti situatën minerare duke prezantuar:
• Problematikat e materialeve kritike në vendin tonë, duke paraqitur politikat dhe impaktet për zvogëlimin e riskut në zinxhirin e lëvizjes dhe stokimit të tyre.
• Situatën e minierave të abandonuara të qymyrit, sfidat me të cilat ballafaqohet industria e qymyrit si dhe rivënia në punë e ish minerave të qymyr-gurit.
• Politikat e zhvillimit të energjisë së pastër në zonat e abandonuara të minierave të qymyrit si dhe mbështetja e ngushtë me Divizionin e Energjisë së Qendrueshme të UNECE, në dy projekte, në kuadër të Programit të Rregullt të Bashkëpunimit Teknik të UNECE.
• Projektin e ri që do të zhvillojë AKBN-ja dhe Grupi i Ekspertëve të UNECE për Metanin dhe Tranzicionin e Drejtë të Minierave të Qymyrit, për hartimin e gatishmërisë së Shqipërisë për një tranzicion të gjelbër dhe të drejtë në zonat e saj pas minierave të qymyrit.
Vlen të theksojmë se objektivi i projektit të ri me UNECE-n është të identifikojë barrierat rregullatore, sociale, teknike dhe financiare që vendi do t’i duhet të adresojë për të qenë në gjendje të rikuperojë dhe ripërdorë me sukses zonat e tij pas minierave të qymyrit në përputhje me parimet e ekonomisë së gjelbër dhe të tranzicionit të drejtë. Ai gjithashtu do të identifikojë elementët që janë të nevojshëm për të mundësuar fillimin dhe për të siguruar përparimin në rikuperimin dhe ripërdorimin e tokës së kontaminuar.