Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në funksion të promovimit të investimeve në sektorin energjetik, minerar dhe hidrokarbur.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtorët ekzekutivë të të dyja institucioneve, z. Genci Tërpo për AKBN-në dhe znj. Laura Plaku (Saro) për AIDA-n.
Dy drejtuesit theksuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është parakusht për realizimin e objektivave të përbashkëta dhe për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e promovimit të investimeve.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet AIDA-s dhe AKBN-së, në funksion të:
- promovimit të investimeve në sektorët e burimeve natyrore;
- lehtësimit të komunikimit me investitorët vendas dhe të huaj;
- koordinimit institucional për shkëmbimin e informacionit dhe asistencës teknike;
- mbështetjes së projekteve me interes strategjik në fushën e energjisë, minerare dhe hidrokarbureve.

AKBN e vlerëson këtë bashkëpunim si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm dhe promovimin e investimeve në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.
