Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) mori pjesë në takimin e radhës të “Energy Statistics Working Group” (ESWG), organizuar nga Eurostat në Luksemburg, më datat 14–16 Prill 2026.
Shqipëria, në këtë forum të rëndësishëm evropian u përfaqësua nga AKBN-ja, si institucioni përgjegjës për përpilimin dhe raportimin e statistikave të energjisë.
Takimi mblodhi ekspertë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendet kandidate dhe organizata ndërkombëtare si Eurostat, IEA, IRENA dhe Energy Community Secretariat, me fokus në zhvillimet më të fundit në fushën e statistikave të energjisë, përmirësimin e metodologjive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë punimeve u diskutuan çështje kyçe si përditësimi i Rregullores (EC) Nr. 1099/2008 për statistikat e energjisë, zhvillimet ndërkombëtare dhe politikat europiane në sektorin e energjisë, përmirësimi i cilësisë dhe konsistencës së të dhënave, përdorimi i burimeve administrative dhe databazave të ripërdorshme, zhvillimet në statistikat e energjisë së rinovueshme dhe hidrogjenit, raportimi i çmimeve të energjisë dhe sfidat metodologjike, si dhe projekte inovative si smart meters dhe modeli dixhital i stokut të ndërtesave.
AKBN mbetet e përkushtuar të përfaqësojë me seriozitet dhe profesionalizëm Shqipërinë në forumet ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e transparencës, cilësisë së të dhënave dhe bashkëpunimit në sektorin e energjisë.