Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) organizoi një takim të posaçëm me kompanitë minerare, me synim nxitjen e dialogut, bashkëpunimit dhe transparencës në sektorin minerar.
Drejtori Ekzekutiv, z. Genci Tërpo, në fjalën e hapjes theksoi objektivat e këtij procesi të ri komunikimi: përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, rëndësinë e investimeve në teknologjitë e reja dhe rolin e agjencisë në monitorimin dhe mbështetjen e industrisë minerare.
Përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse prezantuan ecurinë e tyre, projektet kryesore, sfidat dhe kontributin ekonomik, social e mjedisor, duke shprehur edhe pritshmëritë ndaj institucioneve. Diskutimi i hapur trajtoi çështje kyçe si: licencat dhe procedurat administrative, sigurinë në punë, mbrojtjen e mjedisit, investimet në teknologji dhe transparencën e raportimit.
Në fund të takimit u theksua nevoja e një komunikimi sa më të afërt, në mënyrë që edhe AKBN të zhvillojë më tej bashkëpunimin me subjektet minerare, duke konsoliduar rolin e saj si partnere strategjike në zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë minerare.