Energjia – Gjeotermale

Dokumenta
Energjia-gjeotermale

Burimet e energjisë gjeotermale në Shqipëri janë vlerësuar si burime ujore të ngrohta të shtresave nëntokësore të tokës, të cilat kanë një temperaturë të mjaftueshme për tu përdorur si burim energjie. Situata gjeotermike e Albanideve ofron dy drejtime për shfrytëzimin e energjisë gjeotermike, të ndara si më poshtë:

  • burimet termike me entalpi të ulët dhe temperaturë maksimale deri 80oC. Këto janë burime natyrale ose puse që ndodhen në një territor të gjerë të Shqipërisë, nga jugu afër kufirit Shqipëri-Greqi deri në zonën verilindore.
  • përdorimi i puseve të thella vertikale për energji gjeotermike, ku një numër i madh pusesh nafte dhe gazi të braktisura mund të përdoren për qëllime ngrohjeje.

Deri më sot janë matur temperaturat në 145 puse të thella dhe shpime të cekëta, si dhe në miniera të ndryshme të vendit, në nivele hipsometrike të ndryshme. Temperatura në këto puse është regjistruar në intervale të rregullta e matur prej rezistencave dhe termometrave termosifon. Në veri-lindje dhe në jug-lindje janë studiuar rreth 25 shpime së bashku me 8 burime termike ujore të cilave u janë bërë analizat kimike. Pavarsisht nga studimi i tyre deri më sot kjo energji nuk është shfrytëzuar si pasojë e kostove të larta të shfrytëzimit.
Regjimi gjeotermik i strukturave gjeologjike në territorin e vendit tonë, kushtëzohet nga dendësia e fluksit të nxehtësisë, gradienti gjeotermik dhe shpërndarja e fushës së temperaturave në thellësi të ndryshme të këtyre burimeve, të lidhura ngushtë me litologjinë dhe me tektonikën e strukturave gjeologjike, si edhe me hidrodinamikën e ujërave nëntokësore. Ky regjim kushtëzon edhe resurset e energjisë gjeotermale.

Dendësia e fluksit të nxehtësisë është parametri kryesor që përcakton rezervat e energjisë gjeotermale. Në qendrën e Ultësirës Perëndimore, ku shtrihet Baseni Sedimentar Shqiptar, dendësia e fluksit të nxehtësisë është 41.3 mW/m2. Izoterma 30 mW/m2 mbetet e hapur drejt shelfit shqiptar të detit Adriatik. Krahina malore jugore e deri në rajonet veri-lindore të vendit, ku shtrihet brezi i shkëmbinjve magmatike, karakterizohen nga dendësi e fluksit të nxehtësisë, që luhatet nga 40 mW/m2 deri në 61.8 mW/m2. Vatra me vlera të larta të dendësisë së fluksit të nxehtësisë lidhen me transmetimin intensiv të nxehtësisë nëpër thyerjet e thella tektonike. Këto thyerje kushtëzojnë edhe burimet e energjisë gjeotermale. Në Alpet Shqiptare, dendësia e fluksit të nxehtësisë është shumë e vogël, në vlerat deri në 10 mW/m2.