Prezantohet drejtori i ri i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN)

Z.Genci Tërpo është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Prezantimin e tij e bëri Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Erlind Sulo në ambientet e AKBN-së.

Z.Tërpo sjell një eksperiencë mbi 20 vjeçare profesionale dhe akademike në sektorin privat dhe atë publik. Ai ka drejtuar Sekretariatin Kombëtar të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Albania), duke udhëhequr procesin e përputhshmërisë së vendit me standardet globale të transparencës në industrinë e burimeve natyrore.

 foto 1

Gjithashtu, z. Tërpo ka punuar ngushtë me shoqërinë civile si drejtor projektesh dhe ekspert ligjor në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe ka dhënë konsulencë për OJQ në analizën e politikave që lidhen me reformën në drejtësi, energjinë, të drejtat e njeriut dhe biodiversitetin.

Ai ka shërbyer si avokat, duke ofruar mbështetje dhe përfaqësim ligjor në gjykatat e të gjitha niveleve në Shqipëri dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu ai ka qenë lektor në Fakultetin e Drejtësisë, për të Drejtën Administrative.

foto 2

Në karrierën e tij, z. Tërpo ka mbajtur pozicione të rëndësishme si:

* Këshilltar ligjor i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me fokus në sektorin e transportit dhe minierave, si dhe në ndjekjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

* Zëvendës komisioner në Zyrën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

* Drejtues i projekteve kombëtare e ndërkombëtare mbi aksesin në drejtësi, anti‑diskriminimin dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël, duke ofruar ndihmë ligjore dhe përfaqësim në gjykatat shqiptare dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

* Si konsulent ligjor, ai ka ofruar mbështetje në legjislacionin sportiv me rishikimin e kontratave, monitorimin e përputhshmërisë ligjore të federatave sportive dhe propozimin për përmirësim të kuadrit ligjor në sektorin e rinisë dhe sportit.

Z.Tërpo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Legjislacionin Kushtetues dhe Administrativ në Universitetin Evropian të Tiranës dhe ka përfunduar një Master Ekzekutiv në Kriminologji pranë Fakultetit të Jurisprudencës, Universiteti i Tiranës.

Ai ka kryer Programin Ekzekutiv Ndërkombëtar në Blavatnik School of Government, Universiteti i Oksford-it, me fokus në lidership dhe qeverisje publike.