Situata aktuale e liçencimit
SITUATA AKTUALE E LIÇENSIMIT
Për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit në Shqipëri, janë aktive disa Marrëveshje Hidrokarbure, në bazë të të cilave zhvillojnë aktivitetin e tyre një sërë kompanish, si më poshtë:
Për kërkimin e naftës dhe gazit në tokë:
- Kontrata me Ndarje Prodhimi për Bllokun 2/3, në tokë, lidhur me kompaninë Shell Upstream Albania B.V, e cila ka hyrë në fuqi në Korrik të vitit 2009. Së fundi, kjo Kontratë u amendua me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 180, datë 26.02.2020 dhe ky vendim hyri ne fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare Nr.25, datë 28.02.2020.
- Kontrata me Ndarje Prodhimi për Kërkimin Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve për Bllokun 4, në tokë, lidhur me kompaninë Shell Albania Block 4 B.V., është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 350, datë 12.06.2018 dhe botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 87, datë 14.06.2018. Data Efektive e kësaj marrëveshje është data 14.06.2019.
- Kontrata me Ndarje Prodhimi për Bllokun e Dumresë, në tokë, lidhur me kompaninë ENI, e cila është miratuar në Këshillin e Ministrave me datë 26.02.2020. Kjo marrëveshje është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 27, datë 03.2020, datë kjo që konsiderohet edhe si Datë Efektive e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Në fushën e zhvillimit të vendburimeve dhe prodhimit të naftës dhe gazit;
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Patos-Marinza, ka hyrë në fuqi në datën efektive 20/07/2004, fillimisht me operator Saxon International Energy Ltd deri në fund të vitit 2006 dhe që prej vitit 2007 me operator kompaninë Bankers Petroleum Albania. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit e prodhimit të vendburimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Kuçovë, ka hyrë në fuqi në datën efektive 02/11/2007, me operator kompaninë Sherwood International Petroleum Ltd. Aktualisht kjo licensë në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të vendburimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Visokë, ka hyrë në fuqi në datën efektive 09/02/2009, fillimisht me operator kompaninë IEC Visoka Inc deri në fund të vitit 2011, më pas me operator kompaninë Transoilgroup sha deri në shkurt të vitit 2018 dhe pas me operator kompaninë Terraoil Swiss sha. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të vendburimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Ballsh-Hekal, ka hyrë në fuqi në datën efektive 24/08/2007, fillimisht me operator kompaninë Stream Oil&Gas deri në fund të vitit 2014, më pas me operator kompaninë Transatlantic Petroleum sha deri në muajin Maj 2018 dhe më vonë me operator kompaninë ANIO OIL&GAS. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të vendburimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e gazit Delvinë, ka hyrë në fuqi në datën efektive 24/08/2007, fillimisht me operator kompaninë Stream Oil&Gas deri në muajin Shtator 2014, më pas me operator kompaninë Transatlantic Petroleum deri në fund të vitit 2015 dhe që prej vitit 2016 me operator Delvina Gas Company. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të vendburimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Pekisht-Rrasë-Murriz, ka hyrë në fuqi në datën efektive 26/08/2013, fillimisht me operator kompaninë Phoenix Petroleum deri në muajin Maj 2016 dhe më pas me operator kompaninë Fin-Pek Petroleum. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit dhe prodhimit.
- Liçencë Marrëveshja për Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në vendburimin e naftës Finiq-Krane, ka hyrë në fuqi në datën efektive 26/08/2013, fillimisht me operator kompaninë Phoenix Petroleum deri ne muajin Maj 2016 dhe më pas me operator kompaninë Fin-Pek Petroleum. Aktualisht kjo liçencë është në fazën e zhvillimit dhe prodhimit.
Vendburimet e tjera egzistuese të naftës dhe gazit dhe konkretisht vendburimet e naftës: Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Amonicë dhe Drashovicë, si dhe vendburimet e gazit Divjakë, Ballaj, Pocelçë, Panaja dhe Frrakull, nuk janë nën Liçencë Marrëveshje dhe Marrëveshje Hidrokarbure por administrohen nga kompania shtetërore Albpetrol sha.